Deputeti Tedi Blushi i është drejtuar me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit, duke kërkuar interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale lidhur me një rast që ai e cilëson si “tronditës, çnjerëzor dhe me dyshime serioze për shkelje të rënda ligjore” në sistemin shëndetësor publik.

Në fokus të kërkesës është vdekja e 35-vjeçarit Ardit Rapushi në ambientet e QSUT, një ngjarje që është shoqëruar me mungesë transparence, mosinformim të familjes dhe pengim të së drejtës për të marrë dokumentacionin e plotë mjekësor.

Në shkresën e tij, Blushi ngre shqetësimin se familjarëve u është mohuar për disa ditë e drejta për të vizituar të riun gjatë qëndrimit në spital dhe se njoftimi për vdekjen është bërë me vonesë, ndërsa dokumentacioni zyrtar mbi shkaqet e humbjes së jetës mbetet i paplotë edhe pas më shumë se një viti.

Sipas deputetit, fakti që familja pretendon se nuk ka marrë ende kartelën klinike të plotë dhe se diagnoza në vërtetimin e lëshuar është formuluar në mënyrë të përgjithshme, ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësitë institucionale dhe respektimin e ligjit.

Duke iu referuar Rregullores së Kuvendit, Blushi kërkon që ministrja të paraqitet për të dhënë përgjigje publike mbi rrethanat e rastit, zinxhirin e përgjegjësisë brenda strukturave spitalore, si dhe mbi masat e ndërmarra nëse ka të tilla për hetimin administrativ apo referimin e çështjes pranë organeve të drejtësisë.

Sipas tij, kjo çështje nuk përbën vetëm një dramë familjare, por një provë serioze për standardet e transparencës, llogaridhënies dhe funksionimit të sistemit shëndetësor publik në vend.

KERKESA:

I nderuar Zoti Kryetar i Kuvendit,

Në mbështetje të nenit 90, pikat 1 dhe 2 dhe nenit 91, pika 2, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ju parashtroj kërkesënqë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Znj. Evis Sala, t’iu përgjigjet pyetjeve lidhur me një rast tronditës, çnjerëzor dhe me dyshime serioze për shkelje të rënda ligjore në sistemin shëndetësor publik.

Ish-oficeri i ndershëm i Policisë së Shtetit, Z. Ilirjan Rapushi, prej më shumë se një viti kërkon drejtësi për vdekjen e djalit të tij të ndjerë, Ardit Rapushi, 35 vjeç.

Në 19 shkurt të vitit të kaluar, i ndjeri Ardit Rapushi u shtrua për vizitë dhe trajtim mjekësor në Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Sipas babait të tij, për katër ditë me radhë, familjarëve iu mohua e drejta elementare për ta vizituar, pa asnjë shpjegim ligjor apo mjekësor.

Katër ditë më pas, familja, sipas babait të tij, njoftohet se djali i tyre kishte humbur jetën në spital.

Pra, për katër ditë të tëra, trupi i pajetë i një qytetari është mbajtur i fshehur nga familja, pa njoftim, pa transparencë dhe pa asnjë shpjegim.

Edhe më tronditës është fakti se pas më shumë se një viti, familja Rapushi nuk ka marrë ende kartelën klinike të plotë, as dokumentacionin zyrtar që shpjegon shkaqet reale të vdekjes.

I vetmi dokument i dorëzuar nga QSUT është një vërtetim formal, i papranueshëm, ku si diagnozë shkruhet vetëm: “sëmundje e rëndë”, pa asnjë specifikim, pa përgjegjësi dhe pa dinjitet njerëzor.

Në këto kushte, i drejtoj Ministres së Shëndetësisë këto pyetje konkrete, për të cilat kërkoj përgjigje të menjëhershme dhe publike:

PYETJE

Përse Ardit Rapushi humbi jetën në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, institucion ku u shtrua për t’u kuruar dhe jo për të vdekur?

Kush ka marrë vendimin kriminal për t’ia fshehur familjes për katër ditë faktin e vdekjes dhe trupin e pajetë të djalit të tyre?

Cili është personi ose zinxhiri i përgjegjësisë (mjekë, drejtues pavijoni, drejtues spitali, administratë) që ka shkelur ligjin dhe Betimin e Hipokratit në këtë rast?

Përse, pas më shumë se një viti, familja ende nuk ka marrë kartelën klinike të plotë, siç e garanton ligji shqiptar?

Si shpjegohet dhënia e një vërtetimi banal, pa diagnozë të qartë, për vdekjen e një 35-vjeçari, dhe kush e ka firmosur atë dokument?

A ka nisur Ministria e Shëndetësisë ndonjë hetim administrativ për këtë rast dhe, nëse po, cilat janë përfundimet konkrete?

A është referuar ky rast pranë organeve të drejtësisë dhe, nëse jo, përse është heshtur për më shumë se një vit?

Sa raste të ngjashme ekzistojnë në QSUT dhe në spitale të tjera publike, ku familjarëve u mohohet e vërteta për shkaqet e vdekjes së të afërmve të tyre?

Duke ju falenderuar për bashkëpunimin,

DEPUTETI

Tedi Blushi