Këtë të martë, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Kryesinë e Partisë Socialiste në selinë rozë.

Takimi pritet që të mbahet në orën 09:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa në fokus të mbledhjes do të jetë caktimi i datës të Asamblesë të Partisë Socialiste.

Sjellim ndërmend se ditën e djeshme, më 2 mars, kreu i qeverisë i dorëzoi kreut të shtetit, Bajram Begajt, ndryshimet e fundit në qeveri. Takimi u zhvillua në Pallatin e Brigadave, për shkak se institucioni i Presidencës është në rikonstruksion.

“Sot, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në takim Kryeministrin, Edi Rama. Kryeministri paraqiti në takim propozimet për ndryshimet në Kabinetin qeveritar. Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e ministrave“, njoftoi Presidenca pas takimit.

Kreu i qeverisë propozoi shkarkimin e shtatë ministrave, mes tyre edhe të Belinda Ballukut dhe emërimin e ndryshimeve të reja. Në këtë mënyrë katër emra të rinj shtohen në kabinetin “Rama 4”.

Rama ka vendosur të largojë Belinda Ballukun nga posti i zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo do të zëvendësohet nga ministrja aktuale e Brendshme, Albana Koçiu si zv/kryeministre ndërsa Enea Karakaçi do të marrë postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndryshimet në qeveri

Albana Koçiu – Zv.kryeministre (largohet Belinda Balluku)
Besfort Lamallari – Ministër i Brendshëm (largohet Albana Koçiu)
Ferit Hoxha – Ministër i Jashtëm (largohet Elisa Spiropali)
Enea Karakaçi – Ministër i Infrastrukturës (largohet Belinda Balluku)
Erjona Ismaili – Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin (largohet Toni Gogu)
Toni Gogu – Ministër i Drejtësisë (largohet Besfort Lamallari)
Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes (largohet Pirro Vengu)