Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin, deklaroi se sektori i blegtorisë do të marrë mbështetje të shtuar, duke u fokusuar veçanërisht tek të rinjtë.
Salla bëri të ditur se të rinj dhe të reja që shprehin interes për të punuar në këtë sektor do të mbështeten me fonde prej rreth 7-10 mijë euro për përfitues, në mënyrë që të inkurajohet rritja e numrit të blegtorëve dhe zhvillimi i sektorit.
“Sa i përket blegtorisë, kemi pasur disa të rinj dhe të reja që në kërkesat e tyre kanë kërkuar të mbështeten në këtë sektor. Ne kemi menduar që në një masë prej 7-10 mijë euro t’i ndihmojmë nëpërmjet sektorit të blegtorisë, në mënyrë që të kemi një rritje të numrit, por edhe t’u ofrojmë të rinjve një mundësi në këtë sektor që duhet ta rrisim dhe ku duhet të kemi një vëmendje të shtuar për rritjen e numrit të blegtorisë”, tha ministri Salla.
Ai shtoi se kjo iniciativë është diskutuar edhe në komisione dhe me stafin e ministrisë, dhe do të jetë pjesë e planit të përgjithshëm për mbështetjen e sektorit të blegtorisë në të gjithë vendin.





