Në portalin kombëtar të punësimit janë shpallur 6500 vende të lira pune. Pozicionet përfshijnë vende vakante në sektorë të ndryshëm, si në industrinë e prodhimit, shërbime, tregti, turizëm, teknologji informacioni, bujqësi dhe administratë. Këto mundësi janë të hapura për të gjitha nivelet arsimore, nga punëtorë të kualifikuar deri te specialistë dhe drejtues.

Procesi i aplikimit është i thjeshtë përmes portalit zyrtar ëëë.puna.gov.al, ku çdo person mund të krijojë profilin e tij dhe të aplikojë për pozicionin që i përshtatet. Nëse qytetarët kanë nevojë për asistencë gjatë procesit të aplikimit, ata mund të drejtohen pranë zyrës më të afërt të punës, ose të kontaktojnë me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive.

Thirrjen për t’u regjistruar në portalin e punësimit e bën edhe Ministria e Ekonomisë, e cila fton emigrantët shqiptarë të krijojnë mundësi të reja në vendin tonë.

6500 vende të lira, në kushtet kur bizneset vuajnë për fuqi punëtore, tregojnë se kërkesa dhe oferta për vende pune nuk përputhen në tregun tonë për shkak të pagës dhe kushteve që ofrohen.

Sipas të dhënave të INSTAT në tremujorin e tretë 2025, norma e papunësisë ishte në nivelin 8.1 %, e cila në numër përkon me 100 mijë persona që nuk figurojnë në sistemin tatimor te punësimit.