Presidenti Ilir Meta me anë të një postimi në “Facebook” shkruan se ndihet i lumtur që kryepeshkopi Anastas Janullatos arriti që të shërohet pas një ndërhyrjeje në zemër.

Meta shprehet se ndihet i lumtur që Janullatos është mirë, duke shtuar se i uron kthim sa më shpejt në detyrë.

Postimi i Ilir Metës:

Duke i shprehur urimet e mia më të mira e të përzemërta për shëndet të plotë dhe jetë të gjatë Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ndaj kënaqësinë që pas ndërhyrjes angioplastike shëndeti i Tij paraqitet i kënaqshëm.

I uroj Kryepeshkopit Anastas rikthim sa më të shpejtë në krye të detyrës së Tij tepër të rëndësishme.

Një falenderim të veçantë për të gjithë mjekët dhe personelin shëndetësor të cilët u kujdesën që çdo gjë të shkonte mirë.

Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në veçanti, për forcimin e harmonisë ndërfetare, kësaj vlere kombëtare dhe modeli unik për mbarë botën.