Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të jetë këtë të hënë, 9 mars në Qipro, shteti anëtar i Bashkimit Evropian, i cili është përfshirë pa dashje në konfliktin e nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit.
Qëllimi i vizitës së Macron është forcimi i sigurisë së Qipros dhe Mesdheut Lindor, në bashkëpunim me partnerët evropianë, siç ka deklaruar Pallati Elysee.
Një koalicion është organizuar për të mbrojtur Nikosian nga sulme të mëtejshme me dronë dhe raketa.
Franca, Greqia, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë njoftuar vendosjen e aseteve detare.
Macron gjithashtu synon të “theksojë rëndësinë e sigurimit të lirisë së lundrimit dhe sigurisë detare në rajon, veçanërisht përmes operacionit detar të Bashkimit Evropian Aspides”.
Kujtojmë se më 2 mars, një dron goditi bazën ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro gjatë natës, duke shkaktuar dëme të vogla materiale dhe pa viktima.
Sulmi ndodhi disa orë pasi Britania pranoi t’i lejojë SHBA-ve të përdorte bazat ushtarake britanike për të sulmuar vendndodhjet e raketave iraniane.
Starmer tha se forcat britanike nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në sulme, dhe bazat do të përdoren vetëm për “qëllime specifike dhe të kufizuara mbrojtëse” për të goditur depot e raketave dhe lëshuesit që po përdoren për të sulmuar fqinjët e Iranit.





