Në edicionin e 60-të të një prej panaireve më të mëdha në botë të turizmit, ITB Berlin, Durrësi ishte mes 6 bashkive pjesëmarrëse nga Shqipëria.

Kryeqyteti shqiptar i turizmit u prezantua ndër të tjera në këtë panair me një video promovuese, ku qyteti bregdetar shfaqej me të gjithë potencialin e tij turistik në 4 stinë të vitit, duke synuar të kthehet në një destinacion gjithë vjetor dhe konkurues në Mesdhe.

“Përfaqësimi i institucionit të bashkisë Durrës këtë herë ishte një përfaqësim shumë dinjitoz. E gjithë stenda e dedikuar për Shqipërinë ishte e konceptuar si një model në katër stinë dhe fokusohej më shumë në turizmin gjithë vjetor. Bashkia Durrës është përfaqësuar me të gjithë potencialin turistik, sepse ne flasim për një turizëm gjithë vjetor në qytetin tonë dhe u prezantuam me strukturat akomoduese, agroturizmat, agjencitë turistike, gjithashtu u prezantuam me produktet tipike lokale, qofshin këto të artizanatit, por edhe kulinarisë.”,- thotë përfaqësuesja e Drejtorisë së Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Shqipëria prezantoi në këtë panair ofertën turistike të 30 turoperatorë shqiptarë si dhe bashkive Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë, Sarandë dhe Pogradec, duke ngjallur interes të madh tek disa nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të industrisë globale të turizmit.  

“Në këtë panair kuptuam se kishte një interes të shtuar nga kontinentet e tjera si psh kontinenti aziatik. Një nga bashkë organizatorët e këtij panairi që ishte nga India u afrua në stendën tonë dhe shfaqi interes të veçantë për të vizituar Durrësin, por edhe Shqipërinë në tërësi. Madje edhe na ftuan për t’u bërë pjesë e panaireve në kontinentin aziatik. Për këtë sezon turistik pritet të kemi një rritje të numrit të turistëve, në të njëjtin trend progresiv si vitet e kaluara. Këtë interes e pamë edhe në panairin e Berlinit”.

Me mbi 100 mijë pjesëmarrës nga 190 vende dhe më shumë se 5800 ekspozues, 3 ditët e këtij panairi ishin një mundësi e shkëlqyer për takime, bashkëpunime të reja dhe shkëmbim idesh me profesionistë nga e gjithë bota.

M.B.