Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te projekti i portit të ri në Porto Romano, duke e cilësuar atë si një ndër projektet më komplekse që po zhvillohen aktualisht.

Sipas Ramës, realizimi i këtij projekti ka sjellë edhe reagime nga vende të tjera, të cilat sipas tij kanë shfaqur xhelozi dhe kundërshti. Kryeministri paralajmëroi se përpjekjet për ta penguar këtë projekt nuk do të kenë sukses.

Dua të them dy fjalë për Porto Romanon. Është një nga proceset me të ndërlikuara që ne kemi bërë. Është një plan strategjik që ka krijuar edhe xhelozi. Xhelozitë janë të zakonshme mes vendeve që janë në stade të caktuara zhvillimi. Një proces shumë i sofistikuar me projektin e studios më të madhe në botë dhe me reputacionin më absolut në botë për ndërtimin e infrastrukturës, një garë e jashtëzakonshme me pjesëmarrje nga të gjitha anët, por i monitoruar nga konsulenti Royal Haskoning dhe armiqësi ndaj projektit. Nuk do flas gjatë, por një gjë do ta them: Ata që e luftojnë projektin, ata që nuk po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin dhe ne i dimë kush janë. I kanë bërë llogaritë gabim sepse projekti do bëhet. Unë nuk kam plan B vetëm për Bashkimin Evropian, për çdo gjë tjetër jam të C”, tha Rama.