Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin Kapshticë–Kostur, në territorin grek, rreth 15 kilometra larg pikës kufitare të Kapshticës.
Sipas informacioneve që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, një automjet ku udhëtonin tre vajza shqiptare është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas është përmbysur në mes të aksit.
Si pasojë e aksidentit, njëra prej vajzave ka mbetur e plagosur rëndë. Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë ajo shihet e shtrirë në rrugë, ndërsa qytetarët e pranishëm i kanë dhënë ndihmën e parë deri në momentin e mbërritjes së ambulancës.
Sipas dëshmisë së një qytetari që ndodhej në vendngjarje dhe dërgoi pamjet, vajza që ka mbetur më rëndë ishte pasagjere në sediljen e pasme të automjetit dhe dyshohet se është hedhur jashtë mjetit pas përmbysjes së makinës.
Ndërkohë, drejtuesja e mjetit dhe pasagjerja tjetër kanë pësuar dëmtime më të lehta.
Të treja vajzat janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.





