Maryam Rajavi, presidente e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit me seli në Paris, ka dënuar vendimin për të emëruar Mojtaba Khamenein si udhëheqësin e ri suprem të Iranit, duke e quajtur atë një përpjekje për ta kthyer sistemin klerikal të vendit në një monarki trashëgimore, raporton Fox News.
“Son¬te, sundimi absolut klerikal (Velayat-e Faqih) në fakt e ka shndërruar veten në një monarki trashëgimore duke vendosur Mojtaba Khamenein në fron. Por kjo nuk mund ta shpëtojë anijen e mbytur të fashizmit fetar.”, shprehet ajo, citon media amerikane.
Rajavi argumenton se ndryshimi në udhëheqje nuk do t’i rikthejë legjitimitetin sistemit qeverisës të Iranit, duke e krahasuar atë me monarkinë e rrëzuar në vitin 1979 dhe duke akuzuar regjimin se po i mohon edhe një herë sovranitetin popullit iranian.
“Për më shumë se tre dekada, Mojtaba Khamenei, së bashku me babanë e tij, ka qenë ndër arkitektët kryesorë të represionit, eksportit të fundamentalizmit dhe terrorizmit, si dhe të plaçkitjes së pasurisë së popullit iranian. Në praktikë, ai prej kohësh ka funksionuar si pasardhësi de facto i babait të tij.”, shtoi ajo.
Sipas saj, udhëheqësi i ri mban përgjegjësi për masakra dhe për shtypjen e kryengritjeve popullore, si dhe për kontrollin e burimeve dhe ekonomisë së Iranit dhe për grabitjen sistematike të pasurisë kombëtare. Kjo e fundit, sipas Rajavit, ka rezultuar që regjimi të imponojë shtypjen dhe shfrytëzimin më të ashpër mbi shumicën e iranianëve, veçanërisht mbi gratë.
“Populli iranian i zemëruar, i cili është ngritur në kryengritje të njëpasnjëshme për të përmbysur këtë regjim, nuk do të tërhiqet përballë mafias klerikale që sundon Iranin. Fati i Iranit do të shkruhet nga populli i tij.”, shprehet ajo.





