Pjesë të një sateliti gjigant të NASA-s, i cili tashmë është jashtë funksioni, pritet të bien në Tokë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ka paralajmëruar agjencia hapësinore amerikane.
Sipas vlerësimeve, mundësia që ndonjë person të goditet nga mbetjet është jashtëzakonisht e ulët.
Sipas Forcës Hapësinore të SHBA-së, sateliti është një nga dy anijet binjake të lëshuara në vitin 2012 për të studiuar rripat e rrezatimit Van Allen, zona me grimca të ngarkuara që bllokohen nga fusha magnetike e Tokës.
Sateliti peshon rreth 600 kilogramë, por pritet që të shpërbëhet pothuajse plotësisht gjatë hyrjes në atmosferën e Tokës, e cila parashikohet të ndodhë rreth 00:45 të së mërkurës (ora e Shqipërisë).
Megjithatë, ekziston një mundësi e vogël që disa pjesë të mbijetojnë gjatë rikthimit në atmosferë. Forca Hapësinore amerikane e vlerëson probabilitetin e lëndimit të një personi në rreth 1 në 4.200.
Rënia e mbetjeve nga hapësira nuk është një fenomen i pazakontë. Siç thekson edhe “The Guardian”, gjasat që dikush të goditet janë shumë të ulëta, pasi rreth 71% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga ujë. Deri më sot, vetëm një grua është raportuar të jetë plagosur nga mbetje artificiale që kanë rënë nga hapësira.
Sateliti Van Allen Probe A u lëshua së bashku me satelitin e tij binjak, Van Allen Probe B, nga Cape Canaveral në Florida më 30 gusht 2012. Misioni i tyre ishte studimi i rripave të grimcave të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës.
Të dy satelitët u çaktivizuan në vitin 2019, pasi u shteruan rezervat e karburantit dhe nuk mund të orientoheshin më drejt Diellit. Fillimisht ishte parashikuar që ata të riktheheshin në atmosferën e Tokës rreth vitit 2034, por këto llogaritje rezultuan të pasakta. Sateliti i dytë, sipas parashikimeve aktuale, nuk pritet të hyjë në atmosferë para vitit 2030.





