Kuvendi i Shqipërisë njofton se mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00 është konstatuar një hyrje e paautorizuar në sistemet e tij informatike. Gjatë verifikimeve u vu re se një pjesë e të dhënave në disa llogari punonjësish ishte fshirë.

Sipas analizave të para, mund të bëhet fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar, që synonte fshirjen e informacionit dhe cënimin e disa sistemeve të brendshme. Megjithatë, infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe faqja zyrtare e Kuvendit po funksionon normalisht.

Menjëherë pas incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira.

Për hetimin e situatës është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore, e cila punon për identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave.

Kuvendi po bashkëpunon ngushtë me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Drejtorinë e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe Komandën Kibernetike të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe po merr mbështetje teknike nga partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë mënyrë, situata është nën kontroll dhe po punohet për rikuperimin e informacionit dhe parandalimin e incidenteve të ngjashme.