Edhe ndryshimet e vogla në trup mund të kenë rëndësi për shëndetin. Ekspertët paralajmërojnë se disa simptoma që duken të padëmshme, por që vazhdojnë për një kohë të gjatë, duhet të merren seriozisht nga gratë.
Kanceri i vezoreve konsiderohet një nga kanceret gjinekologjike më të vështira për t’u zbuluar në fazat e hershme. Kjo ndodh sepse simptomat shpesh janë të lehta dhe mund të ngatërrohen me probleme të zakonshme të sistemit tretës ose urinar.
Sipas NHS dhe American Cancer Society, ekzistojnë disa shenja kryesore që mund të shfaqen edhe në fazat e para të sëmundjes. Mjekët theksojnë se këto simptoma nuk do të thotë domosdoshmërisht se një person ka kancer, por nëse shfaqen shpesh ose zgjasin për disa javë, duhet të kontrollohen nga një mjek.
5 simptomat kryesore
1.Fryrje e vazhdueshme në bark
Një nga shenjat më të zakonshme është fryrja e vazhdueshme ose ndjesia e ënjtjes në bark. Edhe pse fryrja është e shpeshtë dhe zakonisht e padëmshme, kur ndodh shpesh dhe nuk kalon, mund të jetë një sinjal që kërkon vëmendje.
2.Dhimbje në bark ose në legen
Dhimbja ose shqetësimi i vazhdueshëm në pjesën e poshtme të barkut ose në zonën e legenit është një tjetër simptomë që nuk duhet neglizhuar, sidomos kur nuk ka një shkak të qartë.
3.Ndjesia e ngopjes shumë shpejt
Disa gra vërejnë se ngopen shumë shpejt gjatë ngrënies ose kanë më pak oreks se zakonisht. Ky ndryshim mund të lidhet me presionin në bark.
4.Urinim i shpeshtë
Nevoja për të urinuar më shpesh se zakonisht ose një ndjesi urgjente për të urinuar mund të jetë gjithashtu një simptomë e mundshme, pasi një tumor në atë zonë mund të ushtrojë presion mbi fshikëzën.
5.Ndryshime në funksionimin e zorrëve
Në disa raste mund të shfaqen kapsllëk, diarre ose ndryshime të tjera në jashtëqitje.
Kur duhet të konsultoheni me mjekun?
Ekspertët theksojnë se këto simptoma janë të zakonshme dhe shpesh lidhen me probleme të tjera më pak serioze. Megjithatë, nëse ato shfaqen disa herë gjatë muajit ose zgjasin për disa javë, është e rëndësishme të konsultoheni me një mjek.
Diagnoza e hershme është shumë e rëndësishme. Kur Kanceri i vezoreve zbulohet në fazat e para, shanset për trajtim të suksesshëm rriten ndjeshëm.





