Ndëshkohen 2 pronarë lokalesh, secili me masë administrative 200 000 lekë të rinj, pasi në lokalet e tyre në Golem, gjenerohej muzikë mbi nivelin e lejuar, gjatë mbrëmjes.
Shërbimet e Stacioneve të Policisë Golem dhe Plazh, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë vijuar kontrollet në terren, bazuar dhe në ankesat e qytetarëve.
Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë testuar me matës të zhurmës disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zona turistike, për verifikimin e respektimit të nivelit kufi të lejuar të zhurmës, të përcaktuar në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007 “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.
Nga matjet e realizuara sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, është konstatuar muzikë mbi nivelin e lejuar në 2 lokale në Golem.
Për këtë shkelje, pronarët e këtyre lokaleve, shtetasit G. Gj., 46 vjeç dhe F. S., 30 vjeç, u ndëshkuan secili me masë administrative 200 000 lekë të rinj.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë ushtruar kontrolle edhe për respektimin e orarit të lejuar për gjenerimin e muzikës në ambiente të hapura, në zona apo qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Gjithashtu, vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Policia e Durrësit mbetet e angazhuar për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, teksa fton qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar ndërhyrje të menjëhershme ligjore.





