Banorë nga zona e Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik, si edhe banorë të Durrësit që pretendojnë se preken nga projekti TID, kanë protestuar këtë të mërkurë përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Gjatë protestës, qytetarët ngritën akuza ndaj personave që, sipas tyre, synojnë të ndërtojnë në pronat e tyre, duke pretenduar se po u cenohen të drejtat e pronësisë.

“Janë të njëjtët persona që duan të vjedhin pronat e qytetarëve”, u shpreh një prej protestuesve.

Banorët kërkuan gjithashtu një takim me përfaqësues të SPAK për të paraqitur shqetësimet e tyre, ndërsa në shenjë proteste në drejtim të godinës së institucionit u hodhën edhe vezë.
Sipas protestuesve, reagimet do të vijojnë deri në gjetjen e një zgjidhjeje për situatën. Ata kërkojnë ndalimin e punimeve dhe trajtimin e çështjes në përputhje me ligjin, duke i bërë thirrje institucioneve shtetërore dhe SPAK që të ndërhyjnë.