Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka premtuar edhe 93 milionë euro (107 milionë dollarë) ndihmë humanitare për vendet e Lindjes së Mesme të prekura nga lufta me Iranin.
Wadephul viztoi në Katar, ndërsa raketat dhe dronët iranianë vazhdojnë të godasin rajonin e Gjirit si përgjigje ndaj sulmeve të përbashkëta izraelito-amerikane.
Kryediplomati gjerman ka nisur një tur në Lindjen e Mesme në fillim të kësaj jave, i cili deri tani e ka çuar në Izrael, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në shenjë mbështetjeje për aleatët e shënjestruar nga Teherani.
Me këtë shumë të re, ndihma totale humanitare që Gjermania ka dhënë për rajonin gjatë muajve të fundit arrin në 118 milionë euro.
Fondet do të shkojnë për organizata ndërkombëtare si Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Programi Botëror i Ushqimit (WFP), UNICEF, Kryqi i Kuq dhe organizata të tjera humanitare, për të vazhduar operacionet e tyre në rajon, përfshirë Libanin, Jordaninë, Sirinë dhe territoret palestineze.
Wadephul pritet gjithashtu të zhvillojë bisedime në Doha me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, për konfliktin që shpërtheu pasi Irani goditi bazat ushtarake amerikane në rajonin e Gjirit, pas sulmeve fillestare të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara më 28 shkurt.
Sulmet në rajon vazhduan edhe sot me Katarin, Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Omanin që raportuan se kishin interceptuar dronë dhe raketa.
Zyra e Medias e Qeverisë së Dubait bëri të ditur se dy dronë ranë pranë aeroportit ndërkombëtar të qytetit, duke plagosur katër persona. Një re tymi u pa edhe pranë aeroportit të Abu Dabit, ku Wadephul kishte zbritur më herët gjatë ditës.
Katari, i cili strehon bazën kryesore ushtarake amerikane Al-Udeid, theksoi se për momentin do të vazhdojë të mos ndërhyjë drejtpërdrejt në përballjen ushtarake me Iranin.
“Katari nuk është palë në këtë luftë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari. “Ne ende besojmë në diplomaci, por do të reagojmë në mënyrën e duhur ndaj çdo sulmi kundër Katarit”.
Ai shtoi se Katari po përpiqet të ulë tensionet dhe se kanalet e komunikimit me Teheranin mbeten të hapura. Megjithatë, vendi ka qenë objekt i dhjetëra sulmeve me dronë dhe raketa nga Irani dhe ka rrëzuar dy avionë luftarakë iranianë.





