Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi e ka cilësuar maxhorancën socialiste, e cila rrëzoi me votat e saj kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, si kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit evropian të vendit.

REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI

KUNDËR DREJTËSISË. KUNDËR SHQIPTARËVE.
KUNDËR EUROPËS.

Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.

Ata votuan sot kundër SPAK-ut për një arsye të vetme: për të mbrojtur Edi Ramën dhe për t’i vendosur drejtësisë vijën e kuqe se deri ku lejohet të hetojë.

Për 10 vjet Edi Rama u tha shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se askush nuk është mbi ligjin, por sot provoi të kundërtën.

Prandaj, problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut. Problemi është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.

Integrimi europian matet me mënyrën si trajtohet korrupsioni në pushtet dhe me mënyrën si veprojnë institucionet për të mbrojtur ligjin. Sot Edi Rama dha përgjigjen më të keqe të mundshme: mbrojti korrupsionin dhe shpalli fajtore drejtësinë.