Juventusi dhe Interi kanë gjithmonë një rivalitet të ndezur, në fushën e lojës, por shpesh edhe jashtë saj, duke synuar të njëjtët futbollistë në merkato. Objektivi i merkatos që kanë piketuar të dy klubet tani është portieri argjentinas, Emiliano Martinez, një futbollist i diskutuar shpesh për aftësitë e tij, por edhe për karakterin problematik. Lojtari i Aston Vilës kërkon një aventurë të re dhe të dy klubet italiane e kanë vendosur në shënjestrën e tyre. Interi po e monitoron prej kohësh dhe nuk është fshehur asnjëherë dëshira që ka Marota për ta parë me fanellën zikaltër, pas larigmit tashmë të sigurt të Zomer në verë.

Ndërkohë, “Tuttosport” bën të ditur se edhe Juventusi është vënë në ndjekje të portierit, pasi Di Gregorio nuk bind Spaletin i cili ka kërkuar një element me eksperiencë për sezonin e ardhshëm. Juventusi ka marrëdhënie të mira me Aston Vilën falë transferimit të Douglas Luiz atje, por e frenojnë kërkesat e Martinez, i cili dëshiron 5 milionë euro neto në sezon dhe një kontratë trevjeçare.