Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Shqipëria e pasluftës dhe nevoja për një ushtri moderne
Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte vend që po rindërtohej nga themelet. Lufta kishte lënë pas varfëri, mungesë infrastrukture dhe plagë të shumta sociale. Por mbi të gjitha, kishte lënë edhe një realitet tjetër. Era e barutit, ende nuk ishte larguar plotësisht nga toka shqiptare.
Shteti i ri kishte nevojë, për ushtri të organizuar dhe të përgatitur. Duhej krijuar strukturë moderne mbrojtjeje, por Shqipëria e asaj kohe, nuk kishte ende shkollat dhe akademitë e nevojshme, për të përgatitur kuadro të lartë ushtarakë.
Në atë periudhë, Bashkimi Sovjetik ishte aleati kryesor i Shqipërisë. Armatimi i ushtrisë shqiptare ishte sovjetike. Doktrina ushtarake vinte nga Lindja, ndaj ishte e natyrshme, që edhe oficerët e rinj të përgatiteshin në akademitë e atij vendi. Kështu lindi ideja që një grup djemsh shqiptarë, të dërgoheshin për studime ushtarake në Bashkimin Sovjetik.
Nga malet e Jugut drejt brigjeve të Baltikut
Kjo fotografi është copëzë historie, e ngrirë në një moment të vetëm, por që mbart në heshtje një epokë të tërë. Është e 28-të shkurtit 1951. Shfaqen aty dhjetë ushtarakë të rinj shqiptarë, të rreshtuar me disiplinë që të bie menjëherë në sy. Pesë të ulur në rreshtin e parë dhe pesë të tjerë pas tyre në këmbë, të gjithë me uniformë të rregullt, me kapele ushtarake dhe me një qëndrim serioz, që tregon respekt për profesionin dhe për shtetin që përfaqësonin.
Janë vetëm 20–21 vjeç, por jeta i kishte rritur shpejt. Shumë prej tyre kishin hyrë në luftë që në moshën 14–15 vjeçare, si rasti i Xhafer Matukës, i cili më vonë do të bëhej komandant i artilerisë bregdetare në Durrës. Ishin fëmijë të luftës, që kishin kaluar nga pushka e partizanit, tek libri dhe disiplina e shkollës ushtarake.
Kjo fotografi ka rëndësi të veçantë. Është brezi i parë i oficerëve shqiptarë, që u dërguan për studime në Bashkimin Sovjetik, në shkollën ushtarake të Rigës, në Letoni.
Të dhjetë djemtë e kësaj fotografie, vinin kryesisht nga Jugu i Shqipërisë. Nga Vlora, Kolonja, Nivica e Bolena e Kurveleshit, Kuçi, Vithkuqi, Bitincka e Devollit, Gjirokastra, Këlcyra dhe Pogradeci. Djem të maleve dhe fushave shqiptare, që i bashkonte një ideal i përbashkët, ndërtimi dhe mbrojtja e Shqipërisë së re.
Fotografia është e bukur, kjo jo vetëm për kompozimin. Aty dallon uniforma të rregullta, qëndrimi korrekt, disiplinë dhe krenari. Janë fytyra të pastra, serioze, por edhe të qeshura të përmbajtura. Djem simpatikë, që në atë moment përfaqësonin shtetin e ri shqiptar në një vend të largët.
Por përtej disiplinës së fotografisë, kjo është edhe një histori malli dhe idealizmi. Ishin vitet, kur miqësia shqiptaro-sovjetike dukej e pathyeshme. Këta të rinj u njohën me një kulturë tjetër, me njerëz të rinj, me qytete të ftohta të veriut, por me zemra të ngrohta njerëzish që i pritën si miq.
Jeta i lidhi shpesh edhe më shumë se kaq. Disa prej tyre njohën dashurinë me vajza ruse, madje krijuan edhe familje. Por historia, siç ndodh shpesh, nuk është gjithmonë e butë me njerëzit. Kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, u prishën në fund të vitit 1961, shumë prej këtyre lidhjeve u kthyen në drama personale, ndarje të dhimbshme dhe fate të vështira.
Me shumë gjasë, asnjëri nga këta dhjetë djem nuk jeton më. Por fotografia e tyre jeton. Ajo ruan në heshtje një brez, që vinte nga lufta dhe kalonte në epokën e ndërtimit të shtetit, një brez që besonte, se sakrificat personale ishte çmimi i nevojshëm për të ardhmen e vendit.
Kjo fotografi historike 75 vite të shkuara, na u bë e njohur falë kolonelit të Mbrojtjes Civile të Durrësit, Lutfi Shehu, në moshën 89-vjeçare. Fotoja i është dhënë nga familja e njërit prej të rinjve në foto, Demir Kananajt, përmes të birit Petrit Kananaj.
Është një kujtesë e vogël, por shumë domethënëse. Një dëshmi se historia nuk jeton vetëm në libra, por edhe në fotografi, në kujtime dhe në respektin që u kushtojmë brezave, që sakrifikuan rininë e tyre për atë që besonin se ishte rruga e Shqipërisë.
Dhe kështu, në atë fotografi të shkrepur me 28 shkurt 1951, shohim jo vetëm dhjetë ushtarakë të rinj. Shohim një brez idealistësh, që vinin nga lufta për t’u bërë mburojë e Atdheut të tyre.
Portreti i një brezi që jetoi për Atdheun
Në pamje të parë, është vetëm një fotografi bardhë e zi. Por në të vërtetë është shumë më tepër. Është portreti i një brezi idealistësh shqiptarë, që dolën nga lufta dhe u përgatitën për të qenë mburoja e vendit të tyre. Një brez që besonte se sakrifica personale, ishte pjesë e detyrës ndaj Shqipërisë.
Është kujtimi i një kohe, kur rinia shqiptare besonte me gjithë shpirt se po ndërtonte të ardhmen e vendit. Dhe ndërsa koha ka kaluar dhe fytyrat e tyre janë tretur në histori, një gjë mbetet e gjallë: sakrifica dhe përkushtimi i atyre djemve të rinj, që në vitin 1951, u nisën drejt një rruge të gjatë në emër të Shqipërisë. U fotografuan si ushtarakë të ardhshëm të Shqipërisë.
Një fotografi e thjeshtë. Por një histori e madhe e një brezi, që jetoi me ideal dhe sakrificë për Atdheun.
Durrës: 12 mars 2026
Grupi i parë shqiptar i artilerisë bregdetare, në Riga të Bashkimit Sovjetik.
Në pamje lart nga e majta: Enver Dinollari (Kolonjë), Xhafer Matuka (Nivicë), Turhan Dervishi (Vlorë), Abaz Lela (Bolenë –Kurvelesh), Demir Kananj (Këlcyrë).
Poshtë nga e majta: Selman Duka (Gjirokastër), Besim Nani (Kuç), Tushi Laçka (Pogradec), Dhori Matka (Vithkuq), Hysern Kambo (Bitincka –Devoll).
Riga-Letoni 28 shkurt 1951





