Nxënësit e viteve të para dhe të dyta në gjimnazin “Ismet Nanushi” në Durrës nuk po zhvillojnë mësim në gjuhën frënge prej muajit nëntor.

Sipas tyre, mungesa ka ardhur, pasi mësuesja e frëngjishtes është me leje lindjeje dhe deri më tani nuk është gjetur një zëvendësues.

Nxënësit thonë, se kanë zhvilluar mësim vetëm gjatë tremujorit të parë dhe më pas orët kanë mbetur pa zhvilluar, ndërsa frëngjishtja është gjuhë e parë e huaj dhe provim mature.

Drejtori i shkollës, Munir Kaça, thotë, se institucioni ka bërë kërkesë për zgjidhje pranë autoriteteve arsimore, por deri tani nuk është gjetur një mësues, për ta zëvendësuar. Sipas tij, shkolla ka arritur të gjejë një zgjidhje vetëm për nxënësit e vitit të tretë, ndërsa për klasat e para dhe të dyta situata vazhdon.

Nga ana tjetër, Burim Shehu, përgjegjës i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, deklaron se është bërë thirrje përmes portalit dhe pranimit të dosjeve për të gjetur një mësues frëngjishteje, por deri më tani nuk ka pasur interes.

“Kemi pasur probleme me zëvendësimin e një mësueseje, e cila ka marrë raportin e lindjes, akoma nuk është zëvendësuar. E ka marrë që në fund të nëntorit. Frëngjishtja është gjuhë e parë e huaj me detyrim në maturë. Kur kemi pasur mundësi e kemi zëvendësuar me orë të tjera, kemi bërë disa ndryshime në orar, brenda mundësive tona. Institucionet patjetër që janë në dijeni, që kur është bërë dhe herë pas here e kemi kërkuar, por na rezulton që nuk ka mësues në portal”, tha Burim Shehu.

Sipas ekspertit të arsimit Ndriçim Mehmeti, një situatë e tillë është problematike për nxënësit, pasi mungesa e mësimit për një periudhë kaq të gjatë është e vështirë të rikuperohet, sidomos kur bëhet fjalë për një gjuhë të parë të detyrueshme në provim mature. /Emisioni STOP