Një studim i ri i kryer nga studiues të Universitit të Floridës dhe Qendrës së Kancerit “MD Anderson” të Universitetit të Teksasit – sugjeron se vaksinat mRNA kundër COVID-19 mund të përmirësojnë ndjeshëm mbijetesën e disa pacientëve me kancer që trajtohen me imunoterapi.

Studimi u publikua në revistën shkencore “Nature” dhe u prezantua në kongresin e Shoqatës Evropiane për Onkologjinë Mjekësore (ESMO).

ESMO eshtë një organizatë ndërkombëtare që bashkon mjekë, studiues dhe profesionistë të shëndetit që merren me trajtim dhe kërkim shkencor për kancerin në Evropë dhe më gjerë.

Sipas analizës së të dhënave të më shumë se 1 000 pacientëve me kancer të avancuar të mushkërive dhe melanoma metastatike, të trajtuar mes viteve 2019 dhe 2023, pacientët që bënë vaksinën mRNA kundër COVID-19 brenda 100 ditëve nga nisja e imunoterapisë jetuan dukshëm më gjatë sesa ata që nuk u vaksinuan.

Rezultatet tregojnë se:

• Tek pacientët me kancer të avancuar të mushkërive, mbijetesa mesatare u rrit nga 20,6 muaj tek të pavaksinuarit në 37,3 muaj tek ata që e bënë vaksinën.

• Tek pacientët me melanomë metastatike, mbijetesa u rrit nga 26,7 muaj në rreth 30–40 muaj.

Studiuesit theksojnë se efekti pozitiv u pa vetëm tek vaksinat mRNA kundër COVID-19, ndërsa vaksinat e tjera, si ato kundër gripit ose pneumonisë, nuk treguan të njëjtin ndikim në mbijetesë.

Shkencëtarët besojnë se vaksinat mRNA mund të stimulojnë sistemin imunitar, duke e bërë imunoterapinë më efektive në luftën kundër qelizave kancerogjene.

Megjithatë, ata theksojnë se këto rezultate janë nga një studim vëzhgues dhe duhet të konfirmohen në prova klinike përpara se të përdoren gjerësisht në trajtimin e kancerit.