Prokuroria e Fierit ka sekuestruar dy pasuri në pronësi të shtetasit E.Sh., i cili është vënë nën hetim për veprat penale mashtrim, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Bëhet fjalë për një njësi me sipërfaqe 230 m2 si dhePasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.

Sipas organit të akuzës, ky person dyshohet se ka qenë i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme përmes një aktiviteti “call center” që ushtronte në Fier.

Nga hetimet është dokumentuar depozitimi i shumave të konsiderueshme monetare cash në llogari bankare, të cilat sipas prokurorisë nuk justifikojnë një burim të ligjshëm të ardhurash.

Më pas, këto para dyshohet se janë investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat aktualisht janë në proces verifikimi.

Sipas hetuesve, përmes veprimeve juridike është tentuar edhe transferimi i këtyre pasurive me qëllim fshehjen e origjinës së paligjshme të parave, duke krijuar dyshime për konsumimin e veprës penale të pastrimit të parave.

Njoftimi i plote: 

Paratë e ‘Call Center’ i tjetërsoi për të mbuluar origjinën e paligjshme, Prokuroria Fier sekuestron pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për 3 vepra penale

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan pasuritë e shtetasit E.Sh., nën hetim për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehja e të ardhurave’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtari kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 180 dhe 287 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1381, datë 16.12.2021, i regjistruar ndaj personit nën hetim E.Sh., dyshohet se nëpërmjet një aktiviteti “Call Center” që ushtronte në qytetin e Fierit, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Në vijim të hetimeve, u dokumentua fakti i depozitimit të vlerave të konsiderueshme monetare Cash, në llogaritë bankare të cilat nuk justifikojnë burimin e ligjshëm të origjinës. Më pas, këto vlera u investuan në pasuri të luajtshme të paluajtshme, të cilat janë ende në verifikim. Nëpërmjet veprimeve juridike u synua transferimi i pasurive, me qëllim mbulimin e origjinës së paligjshme, fakt që përmban elementë të veprës penale të dyshuar “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.

Në funksion të këtij procedimi penal ndaj personit nën hetim, u caktuan masat e sigurimit personal me karakter shtërngues. Njëkohësisht, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë në mbështetje të nenit 274 të Kodit të Proceduës Penale, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier, u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi:

1 –  Pasurinë e llojit Njësi, me sipërfaqe 230 m2;, si dhe

2 – Pasurinë e llojit apartament me sipërfaqe 100 m2, në Fier.