Shkencëtarë nga Universiteti i Edinburgh kanë zhvilluar një metodë novatore për prodhimin e një ilaçi për trajtimin e Sëmundja e Parkinsonit, duke përdorur mbetje nga shishet plastike.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Sustainability, tregon se si bakteret mund të përdoren për të shndërruar plastikën në substancën Levodopa (L‑DOPA), një nga medikamentet kryesore që përdoret për të lehtësuar simptomat e Parkinsonit.

Sipas studiuesve, bakteret Escherichia coli janë modifikuar për të transformuar plastikën Polietilen Tereftalat (PET)  material që përdoret gjerësisht në paketimet e ushqimeve dhe pijeve në substancën L-DOPA.

Procesi fillon me shpërbërjen e mbetjeve PET në elementët bazë kimikë të acidit tereftalik. Më pas, përmes një sërë reaksionesh biologjike të kryera nga bakteret e modifikuara, këto molekula shndërrohen në L-DOPA.

Studiuesit theksojnë se kjo është hera e parë që një proces biologjik natyror përdoret për të kthyer mbetjet plastike në një substancë terapeutike për një sëmundje neurologjike.

Sipas tyre, metoda e re mund të jetë më e qëndrueshme se mënyrat tradicionale të prodhimit të ilaçeve, të cilat zakonisht bazohen në përdorimin e lëndëve djegëse fosile.

Shkencëtarët theksojnë gjithashtu se nevoja për metoda të reja riciklimi për plastikën PET është urgjente, pasi ky material prodhohet nga burime jo të rinovueshme si nafta dhe gazi natyror, ndërsa proceset aktuale të riciklimit nuk janë plotësisht efikase dhe vazhdojnë të kontribuojnë në ndotjen globale nga plastika.

Sipas ekipit kërkimor, kjo teknologji mund të hapë rrugën për krijimin e një industrie të re biologjike për ripërdorimin e mbetjeve, jo vetëm për prodhimin e ilaçeve, por edhe për produkte të tjera si aromatizues, kozmetikë, parfume dhe kimikate industriale.

Në fazat e ardhshme, studiuesit do të përqendrohen në zhvillimin industrial të teknologjisë, duke përmirësuar procesin e prodhimit dhe duke vlerësuar më tej ndikimin e saj mjedisor dhe ekonomik.