Bajern Mynih po kalon një situatë shumë të pazakontë dhe që shpreson të mos ketë pasoja të rënda në Ligën e Kampioneve. Bavarezët pritet të paraqiten në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve ndaj Atalantës me një lojtar 16-vjeçar në katërkëndor, pasi i mungojnë 4 portierë. Nojer dhe Ulraish (përkatësisht i pari dhe i treti në hierarkinë në ekip) janë mungesë e sigurt, ndërsa Urbig (i dyti në radhë) është në dyshim serioz për shkak të problemeve. Trajneri Kompani nuk mund të thërrasë portierin as nga ekipi i dytë sepse 18-vjeçari Leon Klanac, teorikisht portieri i katërt në radhë, ka një problem muskulor.

Pra, opsioni më i mundshëm është Leonard Preskot, një 16-vjeçar i cili zakonisht mbron portën për ekipet e të rinjve të bavarezëve. I lindur në Nju Jork dhe i rritur në Berlin, Preskot u transferua nga Union Berlin te Bajern në vitin 2023. Ai luan rregullisht me ekipin kombëtar gjerman U17, por mund të thirret edhe në ekipin kombëtar amerikan, pasi ka shtetësi të dyfishtë. Në Mynih, Preskot, i cili është stërvitur me ekipin e parë që nga maji i kaluar, vlerësohet kryesisht për aftësitë e tij fizike. I përqendruar tërësisht te profesioni i tij i ri, djaloshi ka zgjedhur të jetojë në konviktin e klubit. Tani, në moshën 16 vjeçare, ai mund të debutojë në Ligën e Kampionëve, me Bajernin dhe në një ndeshje eliminimi direkt.