Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri tha se kjo rezolutë është servile dhe thjesht për të shpëtuar fatin politik të Ramës.

Në fjalën e tij në seancë plenare, Kapri u shpreh se, ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës. Më tej ai shtoi se, policët privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianë iranianë islamikë. 

“Ka dy muaj që ndodh një protestë në një fshat katolik të Shqipërisë për të drejtën e pronës. E keni parë sesi policë privatë me kapuçë të zinj dhe shkopa gome rrahin banorët tamam si gardianë iranianë islamikë? Asnjeri nuk ka folur për këtë dhe janë çuar për të drejtën e pronës e ju flisni për një Shqipëri perëndimore. Çmimi i naftës rritet pa u bllokuar Ngushtica e Hormuzit apo njerëzit dhunohen se ecin me monopatina dhe ç’është më e rënda, po fole për të drejtat e njerëzve, përjashtohesh nga parlamenti! Kjo s’është Shqipëri perëndimore! Nëse do të ishim vend perëndimor, nuk do të vendosnim mbrojtje politike siç bëtë me Ballukun. Shqipëria sot është më larg nga perëndimi se asnjëherë më përpara dhe kjo bëhet vetëm për fatin politik të Edi Ramës që tashmë ka vendosur që integrimi i Shqipërisë të mos kalojë nga Brukseli, por nga Beogradi”, tha Kapri.