Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar nga detyra drejtorin e Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të hetimeve që lidhen me një plantacion kanabisi.
Policia e Elbasanit ka zbuluar brenda një godine banesë, që dyshohet se i përket kreut të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, të paktën 4 mijë rrënjë kanabis sativa të kultivuara në mënyrë hidroponike.
Ndërtesa ndodhej në një fshat pranë qytetit të Peqinit, por ende nuk ka informacion zyrtar mbi këtë dhe operacioni është në proces e sipër.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thekson se distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit.
Njoftimi i plotë
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vënë në dijeni nga mediat lidhur me rastin e drejtorit të IEVP Rrogozhinë, Bilal Hasa.
Në vijim të informacionit të marrë, Drejtoria e Përgjithshme ka ndërmarrë masa administrative të menjëhershme për pezullimin e tij nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.
Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve distancohet nga çdo veprim që bie ndesh me ligjin dhe thekson se mbështet plotësisht hetimin e plotë dhe transparent të rastit”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.





