Pas një fitoreje të rëndësishme ndaj Dinamos, sulmuesi i Teutës, Klejdi Daci, ndalet për të analizuar ndeshjen dhe për të folur për sfidën e radhës ndaj Partizanit.

Klejdi, një fitore shumë e rëndësishme ndaj Dinamos. Si e përjetuat këtë ndeshje?

Ishte një ndeshje shumë e luftuar. E dinim që Dinamo është një skuadër e fortë dhe nuk do ta kishim të lehtë. Hymë në fushë me përqendrim maksimal dhe besoj se bëmë një paraqitje shumë të mirë si ekip. Fitorja ishte e merituar dhe na jep shumë moral.

Çfarë bëri diferencën sipas teje?

Mendoj se diferencën e bëri shpirti i skuadrës dhe organizimi në lojë. Të gjithë luftuam për njëri-tjetrin dhe zbatuam detyrat që na kishte dhënë trajneri. Edhe momentet kyçe i shfrytëzuam mirë.

Nga ana personale, si e vlerëson performancën tënde?

Gjithmonë mundohem të jap maksimumin për ekipin. Nëse ndihmoj me gola apo asist, është edhe më mirë, por për mua më e rëndësishmja është që skuadra të fitojë.

Tani përballë keni Partizanin, një ndeshje shumë e rëndësishme. Si po përgatiteni?

Është një ndeshje shumë e fortë dhe e rëndësishme për objektivat tona. Po përgatitemi maksimalisht gjatë javës, duke analizuar kundërshtarin dhe duke punuar për të përmirësuar detajet tona.

Çfarë prisni nga kjo përballje në Durrës?

Presim një ndeshje të bukur dhe të luftuar. Duke luajtur në shtëpi, kemi një motivim shtesë dhe duam t’i japim kënaqësi tifozëve tanë.

Sa i rëndësishëm është faktori fushë në këtë sfidë?

Është shumë i rëndësishëm. Tifozët tanë janë gjithmonë një mbështetje e madhe për ne dhe shpresojmë të na ndihmojnë për të marrë një rezultat pozitiv.