Michael Hartono, aksioneri kryesor i klubit të Comos, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.Ai, së bashku me vëllanë e tij, Robert Budi, janë miliarderë indonezianë, të renditur ndër më të pasurit në botë, të njohur për ndërtimin e një kompanie të njohur duhani dhe për investimet e tyre në banka, fushën elektronike dhe pronësi të paluajtshme. Që nga viti 2019, ata zotërojnë klubin e Comos, të cilin e kanë çuar nga Serie D deri në Serie A dhe tani në zonën e Ligës së Kampionëve.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e raportuan mediat indoneziane, ndërsa klubi nuk ka lëshuar ende një deklaratë zyrtare. Pak më vonë, Como publikoi një mesazh ngushëllimi. “Como 1907 është thellësisht i pikëlluar nga ndarja nga jeta e Michael Bambang Hartono. Klubi i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Hartono dhe gjithë grupit Djarum. Nën udhëheqjen e familjes, Klubi ka hapur një kapitull të ri në historinë e tij, dhe për këtë arsye klubi e kujton me mirënjohje dhe respekt”, shkruan klubi.