Koreja e Jugut i është bashkuar deklaratës së përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, duke u bërë nënshkruesja më e fundit e kësaj nisme.
Reuters shkruan se Seuli zyrtar shprehu gatishmërinë për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare që synojnë garantimin e lundrimit të lirë dhe të sigurt në këtë rrugë ujore strategjike.
Deklarata, e publikuar të enjten, përfshin angazhimin për të ndërmarrë masa “të përshtatshme” për sigurinë në zonë, megjithatë nuk janë dhënë ende detaje konkrete mbi veprimet që do të ndërmerren.
Fillimisht, dokumenti u nënshkrua nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Japonia. Më pas, listës iu bashkuan edhe Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Danimarka, Letonia, Sllovenia, Estonia, Norvegjia, Suedia, Finlanda, Çekia, Rumania, Bahreini dhe Lituania.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga pikat më të rëndësishme për transportin global të naftës, ndaj çdo zhvillim në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike.





