Përpara seancës së sotme të Kuvendit, Grupi Parlamentar i PS po zhvillon mbledhje grupi në sallën e seancave plenare.
Në mbledhje po diskutohet kandidatura e Presidentit të Republikës për kreun e KLSH, për të unifikuar qëndrimin që do të mbajnë në seancë.
Me 15 vota pro, 2 kundër dhe 1 votë abstenim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi dy ditë më parë kandidaturën e Arben Shehut, i propozuar nga Presidenti Ilir Meta për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të vetmit që votuan kundër ishin Ylli Shehu, deputeti i opozitës parlamentare nga listat e LSI-së dhe Xhevit Bushaj nga PS.
Më parë Kuvendi i ka rrëzuar 3 kandidatura apo propozime Ilir Metës për kreun e KLSH, Petraq Milon, Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin. Ndërkohë në krye të institucionit me mandat të mbaruar qëndron ende Bujar Leskaj derisa të zgjidhet pasardhësi i tij në krye të institucionit.
Meta e propozoi Arben Shehun më 4 qershor, duke e prezantuar si një person i cili plotëson të gjitha kushtet për të kandiduar në KLSh dhe si një nga njohësit më të mirë të drejtësisë penale me një eksperiencë mbi 16-vjeçare në jetën akademike.





