Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi sot se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill.
Pas lajmit reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time!
Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës!
RROFTË KOSOVA dhe sot më shumë se kurrë NDERIM UDHËHEQËSVE TË LUFTËS ÇLIRIMTARE,” shkruan Rama.





