Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediet sot në 27 mars, foli edhe për ngritjen e Bordit të Transparencës.
Ibrahimaj u shpreh se qeveria do të vendosë çmim tavan për naftën, benzinën dhe gazin. Ajo shtoi se mazhoranca synon që të mbrojë qytetarët nga çdo lloj abuzimi.
Ministrja nënvizoi se Bordi do të vazhdojë, derisa të ketë një stabilitet të çmimeve të karburanteve.
Delina Ibrahimaj: Ne mblodhëm Bordin e Transparencës, ku në mbledhje ishin dhe tregtrarët kryesorë të karburanteve. Ne vendosëm çmimet maksimale të tregtimit. Mekanizmi është një formulë e ndërmarrë në vitin 2022, ku bëhet llogaritje mbi koston e tregtimit të karburantit, duke shtuar marzhet për shumicën dhe pakicën. Marzhet janë minimale, janë marzhe të përballimit që kompanitë kanë.
Ne do monitorojmë vazhdimisht çmimet e karburanteve. Nuk do lejojmë asnjë abuzim me çmimet për konsumatorët. Do të nisim dhe mbikëqyrjen e tregut, që të mbrojmë qytetarët. Ne duam të kujdesemi që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim tek konsumatorët shqiptarë dhe mbi të gjitha tregu të mos kalojë në abuzime, për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
Situata ekonomike e familjeve shqiptare dhe e bizneseve është në fokusin tonë. Bordi i Transparencës nuk ka një afat sesa gjatë do qëndrojë. Ne do e mbajmë këtë Bord, derisa situata të stabilizohet në nivelet e para krizës.





