Humbja e Shqipërisë përballë Polonisë ka dëshpëruar tifozët shqiptarë kudo, por ka lënë shumë të pakënaqur edhe në Brazil. Zhgënjimi në Varshavë është pasqyruar gjerësisht edhe në mediat e këtij vendi, pasi nga ai varej fati i trajnerit Silvinjo dhe i një rekordi të rrallë të trajnerëve brazilianë. Në historinë e Kupës së Botës, në çdo edicion të saj më përpara ka pasur të paktën një trajner brazilian në pankinën e skuadrave pjesëmarrëse. Kjo për faktin se Brazili ka qenë gjithmonë protagonist me një trajner vendas në drejtim, pa llogaritur edhe ata që “eksportonte” në pankinat e përfaqësueseve të tjera.
Por kjo mori fund me emërimin e Karlo Ançelotit, i cili u bë trajneri i parë i huaj që do të drejtojë këtë ekip në fazën finale të një Botërori. Ndërkohë, trajnerët brazilianë që drejtonin përfaqësueset e tjera nëpër botë, nisën të eliminoheshin me radhë gjatë kualifikuesve dhe i vetmi në garë ishte pikërisht Silvinjo me Shqipërinë. Deri të enjten në darkë, pasi edhe rrugëtimi i tij mori fund përballë Polonisë.
Ndeshja dhe rezultati i saj është pasqyruar gjerësisht në mediat sportive kryesore braziliane, të cilat kanë theksuar se për herë të parë në histori, me përjashtim të ndonjë çudie të madhe dhe emërimi në momentet e fundit, nuk do të ketë asnjë trajner brazilian të pranishëm në Kupën e Botës, duke i dhënë fund rekordit unik që mbante.





