Pamjet e një burri të plagosur dhe me thikë të ngulur në kokë duke ecur në rrugë, janë bërë virale në internet.

Ngjarja është regjistruar në New York, ku sipas policisë, 36-vjeçari ishte përleshur me disa persona pasi kishte ndërhyrë për të mbrojtur një grua. Nuk dihet lidhja e tij me gruan në fjalë, por pas konfliktit verbal me autorët e paidentifikuar të cilët i rrëmbyen çantën zonjës, u qëlluan me thikë kuzhine.

Ai ka pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit nga goditjet me mjete prerëse. Dëshmitarët, por edhe përdoruesit e rrjeteve sociale, kanë mbetur të habitur nga fakti se si 36-vjeçari vazhdonte të ecte dhe të qëndronte në këmbë, edhe pse kishte një thikë të ngulur në kokë.

Ai shihet teksa shkon me këmbët e tij drejt ambulancës për të marrë ndihmë mjekësore. Mjekët thanë se ai është jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa asnjë nga të dyshuarit nuk është arrestuar.