Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka bërë thirrje këtë të dielë, 29 mars, për qytetarët shqiptarë që të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme, sidomos ato turistike, në rajonin e Lindjes së Mesme.
Ky paralajmërim vjen në kushtet e pasigurisë dhe paparashikueshmërisë së zhvillimeve në këtë rajon.
“Ministria po ndjek me kujdes situatën dhe do të informojë publikun në mënyrë të vazhdueshme për çdo ndryshim. Qytetarët këshillohen të monitorojnë njoftimet zyrtare dhe të veprojnë me kujdes për sigurinë e tyre”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Po bëhet 1 muaj tanimë që kur nisën tensionet në Lindjen e Mesme, me sulmin e koordinuar SHBA-Izrael ndaj Iranit, që u përshkallëzua më tej, duke ndikuar në ekonominë e mbarë globit.
Situatë kjo, që përkoi me ditët e para të ministrit Ferit Hoxha në këtë post. Ai mblodhi menjëherë Shtabin e posaçëm dhe ekipin drejtues, duke diskutuar mbi problematikat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, qoftë ata rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në vendet e Lindjes së Mesme.
Në një konferencë për mediet më herët, Hoxha bëri me dije se Ministria ka kontaktuar personalisht me 2 512 shtetas.
“Një për një, emër për emër”, theksoi ai, duke shtuar se 543 shqiptarë kanë leje qëndrimi të përkohshme dhe 2 962 jetojnë e punojnë në rajon.
Edhe kryeministri Edi Rama ka komunikuar vazhdimisht me ambasadorët e Shqipërisë në vendet e prekura nga konflikti në Lindjen e Mesme. Rama e ka bërë të qartë se vendi ynë qëndron krah SHBA-ve dhe Izraelit në operacionin e tyre ushtarak që vjen për të parandaluar veprimet bërthamore të Iranit.
Madje, Parlamenti i Shqipërisë miratoi me 79 vota pro rezolutën duke shpallur Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste.





