Kjo javë do të jetë me mot të paqëndrueshëm. Me përjashtim të fillimit të javës, nga e marta deri të premten, meteorologët parashikojnë prezencë të vranësirave dhe të reshjeve në territor.
“Duke filluar nga dita e martë e në vijim, të paktën deri ditën e premte, territori ynë do të jetë në mbizotërimin e vranësirave të dendura. Herë pas here do të kemi rritje të lagështirës në ajër, çka do të bëjë që të kemi prezente dhe reshej. Reshjet do të jenë në Ultësirën Perëndimore, kryesisht reshje shiu me intensitete të ulëta lokalisht edhe mesatare”, u shpreh meteorologu, Hakil Osmani.
Dimri në këtë pranverë do të vijojë, pasi temperaturat do të pësojnë ulje duke sjellë edhe reshje bore, kryesisht në verilindje.
“Duke qenë se do të kemi temperatura negative, parashikohet që kryesisht në qarqet e zonave malore të kemi edhe problematika për sa i përket ngricave në akset rrugore, kryesisht në fshatrat e thella malore pasi aty temperaturat e ajrit do të jenë më të ulëta se -1°C dhe rreth -3°C, -4°C, kryesisht në verilindje të territorit shqiptar”, u shpreh Osmani.
Meteorologët parashikojnë se në mesjavë era do të jetë problematike.
“Mesjava, kryesisht dita e mërkurë dhe dita e enjte, herë pas here era do të fitojë shpejtësi deri në 75 km/h, në intervale të shkurtra kohore. Kryesisht parametri i erës më i ndjeshëm do të jetë në zona verilindore”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, meteorologët parashikojnë se fundjava do të jetë me mot të qëndrueshëm dhe me diell.





