Ndonëse sot ishte parashikuar që të jepej vendimi, është shtyrë sërish seanca gjyqësore për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Mësohet se gjyqtari Dhimitër Lara kërkoi të njihet me aktet e dosjes, ndaj edhe u shty vendimi për të premten më 26 qershor.
Vitin e kaluar Saimir Tahiri u dënua me 5 vite burg të konvertuara me gjykim të shkurtuar në 3.4 vite shërbim prove dhe dënimi u dha për shpërdorim detyre.
Prokuroria e Krimeve të Rënda nga ana tjetër kërkonte 12 vite burg për Tahirin për 3 vepra penale “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Si përfundim të dyja palët, si Tahiri dhe Prokuroria nuk pranuan dënimin me 3.4 vite shërbim prove dhe e apeluan zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Prokuroria e akuzonte Tahirin se në kohën kur ishte ministër i Brendshëm bashkë me ish-drejtorin e Policisë Vlorë, Jaeld Çela kanë bashkëpunuar me Moisi Habilajn apo vëllezërit e tij që rezultojnë të jenë kushërinj.





