Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se më shumë se gjysma e objektivave në kuadër të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit janë arritur, duke shmangur megjithatë të japë një afat për përfundimin e konfliktit.
Në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan Newsmax, Netanyahu theksoi se operacionet ushtarake ndodhen në një fazë të avancuar, ndërsa sugjeroi se regjimi iranian mund të përballet me një kolaps të brendshëm.
Ai sqaroi se ndryshimi i regjimit në Iran nuk përbën një objektiv zyrtar të operacioneve ushtarake, edhe pse zhvillimet e brendshme në vend mund të çojnë në një skenar të tillë.
“E kemi kaluar qartësisht më shumë se gjysmën e rrugës, por nuk dua të vendos një afat kohor”, u shpreh Benjamin Netanyahu gjatë intervistës, e cila u transmetua në ditën e 31-të të luftës kundër Iran.





