Skënder Hita mori sot detyrën zyrtare si Kreu i Policisë së Shtetit, duke u nderuar me gradën “Drejtues madhor”.
Ceremonia u zhvillua në praninë e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili vlerësoi procesin transparent dhe meritokratik që çoi në përzgjedhjen e Hitës.
Ai theksoi tre elementë kryesorë që e bëjnë këtë moment të veçantë: procesi i përzgjedhjes ishte transparent dhe me meritë, Policia e Shtetit i besohet një personi të besueshëm, dhe pjesëmarrja e kandidatëve të tjerë tregon nivelin e lartë të profesionalizmit brenda institucionit.
“Është kënaqësi dhe përgjegjësi për mua që të marr pjesë në këtë ceremoni të Policisë së Shtetit për t’i besuar detyrën kreut të ri. Dua të evidentoj tre elementë domethënës, për të mbërritur në këtë ceremoni është kaluar në një proces transparent dhe me meritë, që ky institucion kyç t’i besohet një personi të besueshëm. Unë vlerësoj pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve që janë të pranishëm.”
Ministri vlerësoi kandidatin fitues, Skënder Hita, si një polic karriere të udhëhequr nga integriteti dhe përvojë e gjatë në detyra drejtuese në qarqe të ndryshme të vendit
Ai nënvizoi gjithashtu rolin strategjik të Policisë së Shtetit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Lidhur me kandidatin fitues, Skënder Hita, jam personalisht i bindur, që të gjithë ju sot ndani të njëjtën bindje me mua se Hita është njeriu i duhur për të udhëhequr vendin në një moment të rëndësishëm. Është një polic karriere, i udhëhequr nga integriteti në çdo detyrë që ka mbajtur. E njoh prej vitesh. Unë kam pasur rastin që të bashkëpunoj në disa qarqe të vendit që ai ka drejtuar. Së treti, integrimi i vendit në BE, ky mision bëhet akoma më i rëndësishëm në kontekstin ku ndodhet sot Shqipëria.
Procesi i Shqipërisë po vlerësohet nga partnerët tanë europianë. Në këtë rrugëtim, Policia e Shtetit ka një rol thelbësor. Çdo hap përpara në luftën kundër krimit, çdo standard dhe çdo qytetar i sigurt është një hap më pranë në BE. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e stabilitetit, ligjit dhe kjo rrugë nuk do të ndalet kurrë. Zoti drejtor, besimi që u është dhënë sot është një përgjegjësi e lartë, roli juaj është i qartë, që të thelloni më tej profesionalizmin.”
Kujtojmë se Hita u zgjodh ditën e djeshme, 30 mars, si kreu i Policisë së Shtetit, mes 14 kandidaturave për këtë post vakant pas dorëheqjes së Ilir Prodës.
Hita, ka qenë në krye të drejtorisë së policisë vendore Durrës dhe është një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e Policisë së Shtetit, me një karrierë të ndërtuar në disa nga qarqet më të rëndësishme të vendit dhe në struktura që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik.





