Një zhvillim i rëndë dhe i pazakontë ka rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më tronditëse të vitit të kaluar në Itali.

Rasti i vrasjes së 29-vjeçares Pamela Genini ka marrë një kthesë të re makabre, pasi autoritetet po hetojnë zhdukjen e kafkës së saj nga varri.

Sipas mediave italiane, persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë hapur arkivolin e së resë në varrezat në Milano dhe kanë marrë kafkën e saj, rreth pesë muaj pas vdekjes. Zbulimi u bë të hënën (30 mars) nga punonjës të varrezave, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet.

Hetuesit besojnë se në këtë akt të rëndë mund të jenë përfshirë tre deri në katër persona. Aktualisht nuk ka një motiv të qartë për këtë veprim, ndërsa çështja po trajtohet si përdhosje e kufomës dhe vjedhje e pjesëve të trupit, vepra penale që sipas ligjit italian mund të dënohen deri në shtatë vite burg.

Ngjarja rikthen në fokus vrasjen brutale të modeles së re në tetor të vitit 2025, kur ajo u godit për vdekje me dhjetëra herë me thikë në ballkonin e banesës së saj.

I dyshuari kryesor për krimin është ish-partneri i saj, biznesmeni 52-vjeçar Gianluca Soncin, i cili ndodhet në paraburgim. Sipas hetimeve, ai dyshohet se e përndiqte viktimën dhe ushtronte presion për ribashkimin e tyre pas ndarjes.

Soncin kishte ende çelësa të apartamentit të saj dhe dyshohet se ka hyrë pa leje në banesë para sulmit fatal. Pak çaste para ngjarjes, 29-vjeçarja kishte kontaktuar një mike, duke shprehur frikë për sjelljen e ish-partnerit.

Dëshmitarë në zonë kanë raportuar se dëgjuan thirrje për ndihmë, ndërsa pas krimit i dyshuari tentoi të dëmtonte veten, por shpëtoi dhe më pas u arrestua.