Nga BUJAR QESJA
Në moshën 84-vjeçare Besim Shahini, me qartësi mendimi dhe personalitet që rrallë haset, vendosi të japë dorëheqjen nga drejtimi i Organizatës së Veteranëve – Pasardhësve të LANÇ-it për Durrësin. Vendim që nuk erdhi nga lodhja shpirtërore, as nga mungesa e dëshirës për të ndihmuar, por nga një ndjenjë e thellë përgjegjësie njerëzore dhe familjare. Sepse mbi gjithçka, Besimi mbetet njeri dhe si i tillë, zgjodhi të jetë pranë bashkëshortes, në një moment të vështirë shëndetësor. Akt i thjeshtë në dukje, por në thelb një tjetër dëshmi e madhështisë së tij.
Por largimi nga drejtimi, nuk është mbyllje kapitulli. Është vijimësi në një tjetër formë. Sepse figura si Besim Shahini nuk tërhiqen, ato transformohen në busulla morale. Jo më kot, organizata e ka zgjedhur në krye të Këshillit të të Urtëve. Dhe kjo nuk është vetëm detyrë simbolike. Është vend që i takon natyrshëm një njeriu, që di të dëgjojë, të peshojë fjalën dhe të ndërtojë ura.
Tetë vite në krye të Organizatës së Veteranëve në Durrës nuk janë pak. Janë vite pune të pandërprerë, përkushtimi, komunikimi të drejtpërdrejtë me njerëzit, me veteranët, me institucionet, me të rinjtë. E mori këtë detyrë, nga një figurë po aq e nderuar, Selam Hodo dhe arriti ta çojë më tej me vizion të qartë, që kjo organizatë të mos jetë formale, por organizëm i gjallë, aktive, e lidhur me terrenin dhe me frymën e kohës.
Dhe kështu ndodhi. Organizata e Veteranëve të Durrësit, nën drejtimin e tij, u shndërrua nga më të mirorganizuarat dhe më aktivet në vend. Një organizatë që nuk u mjaftua me kujtesën historike, por e jetoi atë. Që nuk e mbajti LANÇ-in vetëm në libra apo përvjetorë, por e solli në jetën e përditshme përmes veprimtarive, takimeve, simpoziumeve, konsultave, vizitave dhe bashkëpunimeve të shumta.
Janë të panumërta veprimtaritë, që mbajnë vulën e Besim Shahinit. Çdo përkujtimore kishte shpirt, çdo aktivitet kishte qëllim, çdo takim kishte mesazh. Dinte të krijonte atmosferë, të ndizte ndjenjën patriotike, të afronte njerëzit. Sepse e kuptonte që historia nuk ruhet vetëm duke e kujtuar, por duke e jetuar.
Nga cilësitë më të rralla të Besim Shahinit, ishte komunikimi. Ishte jo thjeshtë drejtues, por së pari dëgjues. Nuk fliste për njerëzit, por ndodhej tërë kohën me to. Nuk qëndronte mbi ta, por mes tyre. Dhe kjo e bëri të dashur, të besueshëm, të respektuar.
Marrëdhëniet që ndërtoi me institucionet Prefekturën, Bashkinë, Komitetin Kombëtar të LANÇ-it nuk mbetën formale. Ishin marrëdhënie bashkëpunimi konkrete, të ndërtuara mbi respekt dhe seriozitet. Dinte të kërkonte, por edhe të ofronte. Të përfaqësonte me krenari, por edhe të bashkëpunonte me maturi.
Në këtë rrugëtim, nuk ishte vetëm. Përkrah tij qëndruan figura të nderuara të qytetit, ndër ta edhe inxhinieri dhe intelektuali i njohur Kristaq Prifti, i cili me përvojën dhe urtësinë e tij, ka dhënë ndihmesë të rëndësishëm në forcimin e kësaj organizate. Ky bashkëpunim i njerëzve me vlera, e bëri organizatën edhe më të fortë, më të besueshme, më përfaqësuese.
Drejtimi i organizatës pas kësaj i kalon Hajdar Domit. Figurë e respektuar, që merr një përgjegjësi të madhe mbi supe. Sepse kur thua se dikush “e ka ngritur lart stekën”, nuk është thjeshtë një figurë letrare. Është realitet konkret. Është standard që kërkon punë, përkushtim, ndershmëri dhe mbi të gjitha dashuri për njerëzit.
Dhe këtu qëndron madhështia e Besim Shahinit, nuk la pas një karrige, por një model. Një model se si drejtohet me zemër. Se si shërbehet pa zhurmë. Se si fitohet respekti, pa e kërkuar. Se si ndërtohen marrëdhënie që nuk janë të përkohshme, por të qëndrueshme.
Shahini, është nga ata njerëz që nuk bëjnë bujë, por bëjnë histori në mënyrën e tyre të qetë. Nga ata që nuk kërkojnë vlerësime, por i meritojnë ato. Nga ata që nuk diktohen, por pranohen.
Popullariteti i tij nuk është rastësi. Është fryt i një jete të jetuar me ndershmëri, me përkushtim dhe me respekt për të tjerët. Njerëzit e duan, sepse është i tyre. Sepse nuk i ka parë kurrë nga lart, por gjithmonë sy më sy.
Me siguri në Këshillin e të Urtëve, do të vazhdojë të japë ndihmesën e tij. Ndoshta jo më me ritmin e përditshëm të drejtimit, por me peshën e mendimit, me urtësinë e përvojës, me qartësinë e gjykimit. Dhe kjo është po aq e rëndësishme. Sepse organizatat kanë nevojë jo vetëm për energji, por edhe për kujtesë. Jo vetëm për veprim, por edhe për reflektim. Dhe Besim Shahini është një nga ata njerëz, që i bashkon të dyja.
Të urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe qetësi shpirtërore! Në mënyrë të veçantë, shëndet për bashkëshorten tuaj, për të cilën treguat edhe një herë se familja është themeli i gjithçkaje.
Paçi gjithnjë mbarësi dhe lumturi në familjen tuaj!
Dhe organizata e Veteranëve të Durrësit, le të vazhdojë të ecë përpara, duke pasur gjithmonë si pikë referimi modelin që ju latë pas.
Sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e madhe njëkohësisht.
Ju Besim Shahini, e ngritët shumë lart stekën.





