Kreu i grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike në Durrës, Dritan Burgija, së bashku me këshilltarin Arlind Boshku, janë paraqitur sot në selinë blu, ku kanë kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë me kryetarin Sali Berisha.
Dy këshilltarët kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit për përjashtimin nga grupi, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe në shkelje të Statutit të partisë.
Burgija ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike akuzat për bashkëpunim me Partinë Socialiste, duke i cilësuar si të pavërteta. Ai theksoi se kërkon transparencë dhe sqarime konkrete mbi arsyet e këtij vendimi, si dhe prova që e mbështesin atë.
Sipas tij, qëndrimi i tyre ka qenë gjithmonë në krah të Sali Berishës, edhe në periudhën kur ky i fundit u përjashtua nga ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.










