Në këtë samit me pjesëmarrjen e diplomatëve të lartë nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera evropiane, znj. Spahiu theksoi se Shqipëria, ndonëse një vend i vogël, jep një kontribut të madh për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Duke përcjellë fillimisht përshëndetjen e Kryetarit të Kuvendit për Samitin në fjalë, Z. Niko Peleshi, në fjalën e saj, ajo nënvizoi se Shqipëria qëndron në krah të Ukrainës dhe popullit ukrainas përballë agresionit të padrejtë dhe të paprovokuar nga Rusia. Kjo luftë ka sjellë pasoja të rënda njerëzore dhe materiale, duke shkaktuar humbje jetësh, shkatërrim qytetesh dhe zhvendosje masive të popullsisë.

Që nga fillimi i konfliktit, Shqipëria ka qenë dhe mbetet në solidaritet të plotë me Ukrainën. Të mbrosh paqen, drejtësinë dhe të drejtën e një populli për të jetuar i lirë është një qëndrim që reflekton vlerat tona si shoqëri dhe si aleatë të përkushtuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Kuvendi i Shqipërisë, përmes rezolutës së miratuar më 8 mars 2022, mbështeti masat e ndërmarra në koordinim me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, duke përfshirë sanksione ekonomike, veprime diplomatike dhe ndihmë humanitare e ushtarake për Ukrainën.

Si bashkënënshkruese me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së gjatë viteve 2022–2023, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë kundër agresionit dhe në mbështetje të luftës së drejtë të Ukrainës.

Shqipëria ka qenë aktive në nisma ndërkombëtare për Ukrainën, duke marrë pjesë në konferenca dhe samite të rëndësishme në Berlin, Zvicër, Odesa, si dhe duke organizuar në Tiranë Samitin e Vendeve të Evropës Juglindore për Ukrainën në shkurt 2024.
Angazhimi i Shqipërisë do të vijojë edhe në të ardhmen, përmes bashkëpunimit afatgjatë të bazuar në marrëveshjen strategjike 10-vjeçare të nënshkruar më 21 janar 2025 në Davos, me fokus në sigurinë, mbrojtjen dhe rindërtimin e Ukrainës, përfshirë edhe rajonin e Kharkiv.

Në përvjetorin e katërt të masakrës së Bucha-s u zhvillua edhe ceremonia e rastit për viktimat e tragjedisë në kishën e Shën Andreut (Bucha). Gjithashtu, u zhvillua edhe takimi i krerëve të delëgacionit, me të gjithë përfaqësuesit e pranishëm në Samit, të cilët shprehen mbështetjen e tyrë ndaj Ukrainës.

Samiti i Bucha-s vjen në një kontekst simbolik, pasi në fund të marsit 2022, pas rimarrjes së kontrollit të qytetit nga forcat ukrainase, u zbuluan krime të rënda ndaj civilëve, përfshirë varre masive pranë Kishës së Shën Andriut, një kujtesë e fortë për rëndësinë e drejtësisë dhe përgjegjësis.