Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë se janë miratuar zonat prioritare në kuadër të Paketës së Maleve në katër bashki.
Sipas tij, bëhet fjalë për bashkitë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë, të cilat i janë bashkuar procesit të identifikimit të zonave me prioritet zhvillimi.
Demo theksoi se bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore vijon në mënyrë të rregullt, duke shtuar numrin e bashkive që përfshihen në këtë proces.
“Numri i aplikimeve në territor është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka kaluar mbi 500, edhe për faktin se çdo javë po shtohen bashki të reja”, u shpreh ai.
Ministri bëri të ditur se në javët në vijim pritet që edhe një sërë bashkish të tjera të përfundojnë proceset e miratimit të zonave prioritare, duke synuar të nxisin zhvillimin ekonomik lokal dhe të adresojnë nevojat specifike të territoreve të tyre.





