Për t’u dhuruar momente vërtet të veçanta si dhe për t’i rrethuar me mjaft dashuri, në shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës u zhvillua një aktivitet dedikuar fëmijëve me nevoja të veçanta.
Mes lojërave dhe argëtimit, pranisë së prindërve të tyre por edhe mësuesve ndihmëse, psikologëve, punonjësve socialë dhe stafit pedagogjik, 16 nxënësit e kësaj shkolle, të prekur nga çrregullimet e spektrit të autizmit, u ndjenë si të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.
“Ky aktivitet i kushtohet ndërgjegjësimit për autizmin. I janë bashkangjitur aktivitetit edhe fëmijët e tjerë, të cilët kanë bërë vizatime dhe piktura dedikuar fëmijëve me nevoja të veçanta. Disa nga mesazhet sensibilizuese janë: “Fëmijët janë unikë”, “Fëmijët janë të barabartë”. Na pëlqeu se të gjithë treguan angazhim për të bërë këtë aktivitet”,– thotë për “DurrësLajm” mësuesja ndihmëse Fize Lushi.
Data 2 prill njihet në të gjithë botën si Dita Botërore e Autizmit dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për të gjithë personat e prekur nga çrregullimet e zhvillimit por edhe të forcojë punën e institucioneve për më tepër vëmendje për përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me autizëm.

Për prindërit e këtyre fëmijëve përpjekjet për mirërritjen dhe përkujdesjen janë dyfish më të mëdha sesa për fëmijët e zakonshëm. Age Haxhia na tregon disa nga vështirësitë e fillimit me vajzën e saj, që tashmë frekuenton klasën e katërt në këtë shkollë.
“Ka qenë e vështirë, sepse në çerdhe nuk e pranonin, sepse nuk fliste, kishte momente agresiviteti. Në klasë të parë u regjistruam tek shkolla “Marie Kaçulini”. Këtë shkollë e falenderoj shumë sepse vetëm kjo shkollë ma ka pranuar. Kanë qenë të vështira fillimet, sepse nuk kishte as mësuesen ndihmëse.”,– thotë Agia.
Së bashku me bashkëshortin ata janë prindër të 4 fëmijëve, por për shkak se ai është i vetëpunësuar fëmijët e tyre nuk mund të përfitojnë bursë. Në familjen me 8 anëtarë, të vetmet të ardhura janë puna e bashkëshortit dhe KMCAP-i i vajzës.
Në këto kushte, Age Haxhia e ka të pamundur ta çojë vajzën çdo ditë në terapi.
“Ndihma nuk është shumë e madhe nga shteti. Ndërkohë që vajzës i nevojitet terapi çdo ditë, unë vetëm 2 herë në javë I bëj terapi, sepse ka dhe pjesën e ushqime që i nevojiten ekstra. Shteti të paktën të sigurojë që fëmija të ketë edhe logopedin, edhe terapistin”,- thotë ajo.
“Duhet patjetër që punonjësit të jenë të gjithë të specializuar, por edhe të kemi një fizioterapist, pse jo një logoped”,- thotë mësuesja Lushi.
Në këtë shkollë studiojnë 16 fëmijë me nevoja të veçanta dhe për drejtoreshën Etleva Çelmeta është fakt mjaft pozitiv që vit pas viti ndërgjegjësimi dhe mirëkuptimi i nxënësve të tjerë dhe prindërve të tyre ka ardhur gjithnjë duke u rritur.
“Janë 16 nxënës me spektrin autizëm, të regjistruar nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Ne si shkollë kemi një historik me këta nxënës të paktën që nga koha kur unë kam qenë mësuese. Nga viti 2009 e deri më sot kjo shkollë ka pasur nxënës me aftësi ndryshe, numri i të cilëve ka ardhur në rritje. Prindërit dhe nxënësit e tij janë mjaft mirëkuptues dhe mbështetës ndaj nxënësve me nevoja të veçanta”,– thotë drejtoresha.
Në shkollat e bashkisë Durrës, në ciklin 9-vjeçar dhe të mesëm studiojnë rreth 300 fëmijë me nevoja të veçanta.
M.B.





