Këtë të enjte, 2 prill, Kuvendi do të mblidhet një seancë plenare, në rendin e së cilës parashikohet një interpelancë me ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Diskutimet do të fokusohen tek emërimet në radhët e policisë dhe situata e kriminalitetit brenda saj.
Një nga çështjet që pritet të dominojë debatin është marrja e detyrës së drejtorit të Policisë nga Skënder Hita, e cila pritet të jetë në qendër të përballjes mes deputetëve të opozitës me ministrin e Brendshëm.
Më tej, ministri Lamallari do t’u përgjigjet pyetjeve të deputetëve Arjan Ndoja dhe Erald Kapri. Në rendin e ditës është përfshirë edhe një interpelancë e kërkuar nga Jorida Tabaku me kryeministrin Rama, lidhur me Korporatën Shqiptare të Investimeve. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kreu i qeverisë do të jetë i pranishëm personalisht në seancë apo do të delegojë përfaqësimin.
Gjatë kësaj seance pritet gjithashtu të miratohen anëtarët e rinj të Bordit të Autoritetit të Konkurrencës, ku nga Partia Socialiste janë propozuar Denar Biba dhe Eldian Balla. Po ashtu, me propozim të Këshillit të Ministrave, pritet të emërohet Diana Dervishi si anëtare e Këshillit Drejtues të AKEP.





