Seanca parlamentare e ditës së sotme (2 prill) është shoqëruar me akuza, debate dhe tensione mes opozitës dhe mazhorancës.

Deputetët e PD-së akuzuan qeverinë se shmangte llogaridhënien në Kuvend, duke shmangur jo vetëm interpelancat dhe dhënien e shpjegimeve për kërkesat e opozitës, por nuk lejonte as takime të deputetëve dhe institucionet nuk kthenin përgjigje ndaj ligjvënësve.

Edhe kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Niko Peleshi dhe kolegut socialist Taulant Balla, se “e kanë zëruar rolin e Kuvendit” duke shkelur ligjet dhe Kushtetutën.

Debate pati edhe për raportin e procesit të integrimit në Kuvend, ku Bardhi i kërkoi Peleshit shpjegime përe nuk ishte sjellë në Kuvend, kurse Peleshi shpjegoi se do të bëhej seancën e ardhshme.

“Deputetët kanë të drejtë për të marrë informacione nga çdo institucion dhe për të bërë takime në çdo moment. Ju doni të zëroni rolin e deputetit në Kuvend. Kemi dhjetëra kërkesa e shkresa deputetësh ndaj institucioneve dhe nuk kemi marrë përgjigje. Doni të zëroni rolin e Kuvendit”, tha Bardhi.

Më tej ai i vuri në dukje kryeparlamentarit se i mungonte respekti për veten si kreu i Kuvendit, ndaj nuk respektonte as kolegët në seancë apo në procese politike dhe legjislative. Madje e akuzoi Peleshin se “zbatonte urdhrat e Taulant Ballës në Kuvend”.

“Kur nuk keni ju respekt për veten tuaj si kryetar i Kuvendit, si mund të kenë këta, (deputetët). Ju zbatoni verbërisht urdhrat e Taulant Ballës këtu. Ju shkelni me këmbë ligjet e Republikës së Shqipërisë, Rregulloren që keni miratuar vetë dhe Kushtetutën. Ky është vetëm turp, turp dhe vetëm turp”, përfundoi ligjvënësi opozitar.

Peleshi u përgjigj se nuk kishte shmangie të përgjigjeve ndaj kërkesave të opozitës, por do të diskutoheshin në seancat e ardhshme.

“Ne seancën e ardhshme mund t’i diskutojmë, të mblidheni, ju paraqitni kërkesat dhe i diskutojmë”, tha ai.

Por këtu nisën debatet e radhës pasi opozita kërkoi shpjegime për raportin e procesit të integrimit në BE që të diskutohej në seancë. Opozita kërkoi fjalën për procedurë, por Peleshi nuk lejoi duke sjellë akuza ndaj tij se po ndalohej fjala në Kuvend.

Peleshi u përpoq ta kalonte procedurën me batuta dhe ironi, se po ta lejonte Flamur Noka do i bashkohej grupit të PD-së.

“Nëse më lejon zoti Noka me kënaqësi vij në grupin tuaj parlamentar, por nuk më lejon ai, është ai aty!”, tha Peleshi.

Bardhi ndërhyri dhe iu përgjigj se kërkohej zbatimi i ligjot:

“Zoti kryetar, unë lexova ligjin dhe asgjë tjetër. Kur është bërë kjo, unë po citoj ligjin, vetëm nëse e keni bëri ju vetë pa ne këtu…”, akuzoi ai mazhorancën.

Peleshi e bëri me dije se të gjitha këto kërkesa do diskutoheshin në seancën e ardhshme.