Gjatë një takimi me Asamblenë e Partisë Socialiste në njësinë 14-të në Tiranë, kryeministri Edi Rama u shpreh se për herë të parë shqiptarët po përballen me një mundësi reale për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ai theksoi se dera për vendin është hapur dhe se mbështetja e fuqive të mëdha e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm duke nënvizuar se kjo mundësi duhet shfrytëzuar pasi egziston dhe rreziku që ajo derë të mbyllet.

“Duhet ta keni parasysh në çfarë kohësh jetojmë sot. Është hera e parë që shqiptarëve u buzëqesh fati, të gjitha fuqitë e mëdha, shqiptarët i kanë me vete. Asnjëherë nuk kemi pasur kaq konkrete mundësi për t’u bërë pjesë klubit europian. Është derë e hapur por që mund të mbyllet dhe nuk mund të humbet për asgjë në botë. Ne nuk kemi çfarë i bëjnë disa të paudhëve, se nuk e kanë idenë, po tentojnë të dëmtojnë, fatin që shqiptarëve po u buzëqesh. E kundërta është gjëja më dramatike, që ne mos t’ia dalim dot”, tha Rama.