Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka zhvilluar ditën e djeshme një takim me kreu e SPAK, Klodjan Braho.

Gogu u shpreh se takimi vjen në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Me anë të një postimi në Facebook, ministri sqaron se bashkëpunimi do të zhvillohet për përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e efikasitetit të sistemit dhe konsolidimin e standardeve dhe praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.

Ministri Gogu ka shtuar se SPAK mbetet një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Dje zhvillova një takim institucional me drejtuesin e SPAK, z. Klodjan Braho në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Bashkëpunimi ndërinstitucional do të zhvillohet në këto drejtime:

përmirësimin e kuadrit ligjor, duke adresuar boshllëqet ekzistuese në lidhje me statusin e prokurorëve, kompetencat proceduriale dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

forcimin e kapaciteteve institucionale dhe mbështetjen infrastrukturore

rritjen e efikasitetit të sistemit dhe koordinimit në nivel politikash publike

konsolidimin e standardeve dhe praktikave që garantojnë siguri juridike dhe besim publik.

SPAK mbetet një institucion kyç në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe avancimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Bashkëpunimi ynë mbështetet në respektimin e plotë të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së institucioneve”, shkruan ministri Gogu.