Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një konferencë për shtyp, u pyet lidhur me paralajmërimin e ambasadës së SHBA-së për rrezikun e mundshëm të sulmeve iraniane.

I pyetur nëse kanë ndërmarrë një plan masash pas paralajmërimit të ambasadës, ministri theksoi se policia prej kohësh ka marrë masa të shtuara për sigurinë publike dhe për vendndodhjet me rëndësi kritike.

“Së pari, Shqipëria ka prej disa kohësh masat e nevojshëm në kuptim të vlerësimit të riskut nga të gjithë agjencitë ligjzbatuese, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ku jo vetëm kemi bërë vlerësimin e riskut po edhe një plan masash jo vetëm për sigurinë publike në shesh por edhe infrastrukturën kritike në përgjithësi. Policia është me masa të shtuara sigurie, në vendndodhje që konsiderohen me rëndësi kritike. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë duke marrë në konsideratë të gjithë zhvillimet në Lindjen e Mesme.”, u shpreh ministri.

Duke e cilësuar njoftimin e ambasadës si “rutinë”, ai shtoi se ka kërkuar informacione nga Policia e Shtetit pas reagimit të përfaqësisë së huaj. Ai theksoi se policia ka marrë masa gjithashtu edhe ndaj kërcënimeve që vijnë në formë hibride, duke shtuar se synohet të krijohet përshtypja se Shqipëria është një vend i pasigurt.

“Edhe me reagimin publik të ambasadës, kërkova nga strukturat e policisë përfshirë Antiterrorin dhe Policinë kriminale, për të më informuar lidhur me masat dhe komunikimin që kanë pasur me përfaqësuesit e ambasadës. Më është bërë me dije se nga komunikimi të zyrës së ambasadës është konfirmuar se ky është lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera.

Nga ana tjetër, ata vlerësojnë, bashkëpunimin dhe angazhimin e policisë dhe qeverisë për masat e shtuara të marra prej kohësh, duke marrë në konsideratë faktin që policia ka ngritur kapacitetet  nevojshëm për t’u përgjigjur kërcënimeve që vijnë edhe në forma hibride dhe ata që zhvillohen përmes dezinformimit në rrjete sociale, se për të krijuar përshtypje të një vendi të pasigurt.”, u shpreh ministri.